Spread the love

Rikthehet për miratim në Kuvend kontrata 256 milionë euro e miratuar më 18 korrik, por nuk është ajo që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë çoi për miratim në Ministrinë e Financave. Ulen financimet nga furnitorët, duke treguar se firma nuk ka aftësi paguese për një projekt të tillë.

Kuvendi do të votojë sërish në seancën e sotme plenare ligjin nr. 52/2019 për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP për ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Balldren. Skandali qëndron në faktin që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka paraqitur tjetër kontratë për miratim në Ministrinë e Financave dhe tjetër kontratë ka përcjellë për votim në Kuvend. Ndryshimi ndërmjet kontratave qëndron në anekset e tyre dhe pikërisht te shtojca 6 “Modeli Financiar”.

Te kontrata e paraqitur për miratim në Ministrinë e Financave për zërin “Financime nga furnitorët” thuhet që financimi nga furnitorët do të jetë 9.5 milionë euro vitin e dytë dhe 10 milionë euro vitin e tretë, ndërsa te kontrata e paraqitur për miratim në Kuvend për zërin “Financime nga furnitorët” thuhet që financimi nga furnitorët do të jetë 2.5 milionë euro vitin e parë, 3 milionë euro vitin e dytë, 7 milionë euro vitin e tretë dhe 7 milionë euro vitin e katërt.

Normalisht duke u bazuar në përcaktimet e bëra në VKM nr. 634, datë 1.10.2014, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të duhej të merrte sërish miratimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për çdo ndryshim që do ti bëhej kontratave të propozuara nga ana e saj.

Cuarja në Kuvend e një kontrate të ndryshme nga ajo e miratuar më parë në Ministrinë e Financave për më tepër kur ndryshimet lidhen ngushtësisht me propozimin financiar të shoqërisë koncesionare e bën të paligjshëm dhe të pabesueshëm të gjithë procesin e dhënies së këtij koncesioni si dhe gjithë procedurën në të cilën është përfshirë Kuvendi i RSH për miratimin me ligj të kësaj kontrate.

Të dyja kontratat kanë të njëjtin numër regjistrimi dhe që të dyja pretendojnë se janë hartuar duke u bazuar në propozimin financiar të deklaratës së datës 18.03.2019, por ndryshojnë në anekset e tyre.

Sipas dokumenteve të publikuar nga ‘Syri”, në faqet 107 dhe 108 të kontratës së koncesionit/PPP për ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Balldren evidentohen dy tabela që pasqyrojnë gjithë analizën financiare të projektit për periudhën 13-vjeçare të zhvillimit të tij.

Për vitin e 5, në tabelën e faqes 107 të kontratës, parashikohet që koncesionari do të marrë nga buxheti i shtetit 21 milionë euro. Nga këto, 16 milionë euro do t’i harxhojë si shpenzime kapitale dhe në fund do t’i ngelen 5 milionë euro cash (21-16=5).

Mirëpo, po për vitin e 5, në tabelën e faqes 108, parashikohet që koncesionari do të harxhojë edhe 11,4 milionë euro të tjera ku futen pagimi i huasë, interesi i bankës, ripagimi ndaj furnitorëve dhe interesi ndaj furnitorëve.

N.q.s. mbledhim gjithë shpenzimet e koncesionarit për vitin e pestë në të dy tabelat, rezulton që shpenzimet janë në total 27,4 milionë euro.

Pra, për vitin e 5, ndërkohë që sipas tabelave në faqen 107 dhe 108 të kontratës, shoqëria koncesionare ka planifikuar të harxhojë 27,4 milionë euro, ajo do të financohet nga buxheti i shtetit me vetëm 21 milionë euro, që do të thotë që shoqërisë koncesionare i duhen edhe 6,4 milion euro që s’dihet se ku dhe si do të mund t’i gjejë pasi në tabela nuk figuron asnjë shifër tjetër.

Një gjë është e sigurt, kjo kontratë dhe analiza e saj financiare, jo vetëm që nuk paraqet garanci ndaj shtetit shqiptar për realizimin e projektit, por ajo nuk garanton dot as koncesionarin që sipas parashikimeve të bëra nga vetë ai mendon të falimentojë në vitin e 5 të projektit.

Në dokumentet e paraqitura edhe më parë është shpjeguar se zyrtarisht, kompania nuk ka kapacitetet financiare që të ndërtojë një projekt të tillë.

Ndërsa ANK premton të financojë 52 milionë euro nga kapitali i vet, të dhënat zyrtare nga bilanci 2017 tregojnë se totali i aktiveve të saj është vetëm 16 milionë euro (2 miliardë lekë), ndërsa totali i kapitalit është 3.2 milionë euro. Kompania kishte të ardhura prej 16 milionë eurosh në 2017-n dhe një fitim minimal prej më pak se 1 milion euro.

Rruga e ‘florinjtë’

Kuvendi i Shqipërisë e miratoi me nxitim, më 18 korrik, në seancën e fundit të sesionit parlamentar, kontratën koncesionare të formës së Partneritetit Publik Privat (PPP) për rrugën Milot-Balldren, pas një oferte të pakërkuar nga kompania ANK, për miratimin e të cilës u bë një tender formal, pasi fitues, në tetor 2018, u shpall kompania që kishte bërë ofertën e pakërkuar.

Për ironi, kontrata u miratua në të njëjtën ditë që Kuvendi kaloi dhe projektligjin për ndalimin e ofertave të pakërkuara për rrugët, një kërkesë kjo e vazhdueshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Sipas kontratës, së miratuar tashmë në Kuvend, kostot e projektit të rrugës Milot – Balldren, me një gjatësi totale prej 17.2 km, është 213.6 milionë euro, plus TVSH-në, ose 256 milionë euro përfshirë TVSH-në. Kontrata është e miratuar në euro, dhe pagesat koncesionari do i marrë në euro, ndonëse qeveria shqiptare i merr të ardhurat dhe kryen pagesat në lekë. Me kursin aktual të këmbimit, ku një euro është rreth 122 lekë, kosto në lekë e kësaj kontrate në total është 31.2 miliardë lekë.

Nga kjo shumë, financimi i kompanisë është 140 milionë euro, sipas specifikimeve në kontratë, nga të cilat një hua bankare prej 70 milionë eurosh, e cila do të merret nga një ose më shumë institucione financiare, financimi nga furnitorët prej 19.5 milionë eurosh dhe 52 milionë euro kompania premton se i ka nga kapitali i vet. 12 milionë euro janë shpenzime mirëmbajtje.

Pjesa e mbetur prej 60 milionë eurosh do të shkojë për pagim interesash dhe fitimin e kompanisë.

Koncesioni është për 13 vjet dhe qeveria pritet të fillojë pagesat në vitin e tretë, konkretisht në 2022 për një periudhë prej 11 vitesh.

Por, qeveria në kuadrin e saj afat mesëm është e përgatitur të paguajë deri në 36.5 miliardë lekë për këtë koncesion, sipas tabelave të brendshme të hartuara nga Ministria e Financave për llogari të institucioneve ndërkombëtare dhe të siguruara nga Monitor.

Pra shuma maksimale që qeveria parashikon të paguajë nga buxheti i saj është dhe 5.3 miliardë lekë, ose gati 44 milionë euro më shumë (e llogaritur me kursin aktual 1 euro=122 lekë), sesa ajo e miratuar në kontratën nga Kuvendi, duke e çuar koston në total në 17 milionë euro për kilometër./shekulli

Ngarko më shumë artikuj të ngjashëm
Ngarko më shumë në AKTUALITET

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

gjithashtu

Rama prezanton projektin për Aeroportin e Vlorës, nuk zihen më në gojë turqit. Dy opsione për ndërtimin e tij

Spread the love Vjeshta përveç qetësimit të toneve politike vjen me lajme të mira edhe për…