November 12, 2019
Home AKTUALITET Dokumentet/ Nuk morën pikët për të fituar Shkollën e Magjistraturës, dy juristet renditen të parat nga KED për anëtare të Gjykatës Kushtetuese

Dokumentet/ Nuk morën pikët për të fituar Shkollën e Magjistraturës, dy juristet renditen të parat nga KED për anëtare të Gjykatës Kushtetuese

8 min read
0
0
36
Spread the love

Dy kandidatet e listuara të parat nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Arta Vorpsi dhe Elsa Toska, sipas dokumenteve zyrtare rezultojnë se nuk kanë arritur të fitojnë një vit më parë testin për t’u regjistruar në Shkollën e Magjistraturës.

Vorpsi dhe Toska, dy këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese, u përfshinë në një testim nga Shkolla e Magjistraturës në Maj 2018 së bashku me mbi 45 ndihmës ligjorë të tjerë në institucionet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Testimi u organizua në përmbushje të përcaktimeve të ligjit të Vetingut, sipas të cilit, ndihmësit ligjorë që arrin një minimum prej 60 pikësh, si edhe kalonin me sukses procesin e rivlerësimit, kishin mundësinë të fitonin statusin e magjistratit.

Juristet Arta Vorpsi dhe Elsa Toska kanë marrë përkatësisht 56 dhe 57 pikë, rezultat më i ulët sesa limiti minimal prej 60 pikësh nga 100 të mundshme, që kërkohet për pranimin në Shkollën e Magjistraturës, me qëllim të fitonin statusin e magjistratit.

Ndërkohë që dy kandidatet janë renditur të parat në listën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe pritet të votohen nga maxhoranca si anëtare të reja të Gjykatës Kushtetuese.

Faktin që nuk kanë arritur të fitojnë dot Shkollën e Magjistraturës, dy kandidatet e kanë pranuar në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.

Testimi

Në testimin e posaçëm për aftësitë profesionale, që përbëhet nga dy faza-faza e parë është testimi elektronik dhe faza e dytë është ai me shkrim, është një procedurë që sipas ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore duhet ta kalonin të gjithë ndihmësit ligjor, përshirë ndihmësit ligjor në Gjykatën Kushtetuese.

Në përfundim të testimit, “kandidatja Arta Vorpsi ka marrë 56 pikë në testimin elektronik dhe 145 pikë në testimin me shkrim. Ndërsa kandidatja Elsa Toska ka marrë 57 pikë në testin elektronik dhe 153 pikë në atë me shkrim”.

Në nenin 25 të Rregullores së Shkollës së Magjistraturës, parashikohet mënyra e vlerësimit të testimit për subjektet ex officio (përfshirë këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese), si edhe niveli minimal i pikëve për kalimin e provimit.

“Në fazën e parë, teza e testimit elektronik…vlerësohet maksimalisht me 100 pikë dhe ka të njëjtën strukturë dhe të njëjtin vlerësim si teza e testimit të pranimit për kandidatët për magjistrat …”, thuhet në pikën 4 të këtij neni. Ndërsa “në fazën e dytë, testi profesional …. vlerësohet në maksimum deri në 200 pikë”.

Në nenin 25, pika 7 e Rregullores së Shkollës së Magjistraturës për subjektet ex-officio, përcaktohet se: “Subjektet…të cilët kanë marrë të paktën 60 pikë në testimin elektronik dhe mbi 60 për qind të pikëve të testimit profesional, dhe pasi kanë marrë konfirmimin në detyrë nga institucionet e rivlerësimit, kanë të drejtë të ndjekin programin dyvjeçar të trajnimit teorik dhe të praktikës profesionale në Shkollën e Magjistraturës”. Pra vetëm ato kandidatë që kalojnë 60 përqind të pikëve në të dyja testimet, mund të bëhen gjyqtar të shkallës së parë apo prokuror në shkallën e parë. Duke qenë se juristet Arta Vorpsi dhe Elsa Toska nuk plotësojnë njërin prej këtyre kushteve, atë të fazës së parë, ato në vitin 2018 janë të përjashtuara nga mundësia për të vijuar kursin 2-vjeçar në Shkollën e Magjistraturës, për të marrë më tej titullin magjistrat dhe për të ushtruar funksionet në gjykatën apo prokurorinë e shkallës së parë.

Por, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) i drejtuar nga Ardian Dvorani, i ka kualifikuar dy juristet si kandidate më të mira dhe potenciale për zgjedhjen në shkallën më të lartë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, në Gjykatën Kushtetuese.

Këtë qëndrim në KED e ka mbajtur vetëm anëtarja gjyqtare Margarita Buhali, e cila ka dalë edhe me mendim pakice, ku shprehet se: “rezultati negativ në Shkollën e Magjistraturës në provimin e vlerësimit të aftësive profesionale duhet detyrimisht të merret në konsideratë duke u reflektuar në vlerësimin e krimit të aftësive profesionale dhe reputacionit të kandidatit”.

https://www.scribd.com/document/434294396/Vendimi-per-Vorpsin#from_embed

Load More Related Articles
Load More By FX_MEDIA
Load More In AKTUALITET

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Check Also

Titujt kryesorë të gazetave kryesore për sot, e martë 12 nëntor 2019.

Spread the love …

Newsletter

Get the best viral stories straight into your inbox!

Don’t worry we don’t spam